Publikime
Home > Publikime > Për publikun
Së bashku për buzëqeshjet e fëmijëve: 8 karroca të personalizuara për Qendrën Jonathan
Në një akt solidariteti dhe mbështetjeje për fëmijët me sindromën Down, ABI Bank, përmes platformës Smile, së bashku me Credins Bank kanë dhuruar 8 karroca të personalizuara për fëmijët e Qendrës Jonathan, duke sjellë një ndihmë konkrete që synon përmirësimin e lëvizshmërisë, autonomisë dhe cilësisë së jetës së tyre të përditshme.
Ceremonia e dorëzimit të karrocave u zhvillua në ambientet e Qendrës Jonathan, në prani të përfaqësuesve të institucioneve partnere, stafit të qendrës, prindërve dhe fëmijëve përfitues. Karrocat janë përshtatur sipas nevojave specifike të secilit fëmijë, duke ofruar komoditet dhe mbështetje të personalizuar që do t’i ndihmojë ata në aktivitetet e përditshme dhe në procesin e zhvillimit të tyre.
Përmes kësaj nisme, ABI Bank konfirmon angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të komuniteteve në nevojë dhe në promovimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku secili individ ka mundësi të barabarta për të jetuar dhe zhvilluar potencialin e tij.
Në emër të ABI Bank dhe të Drejtorit të Përgjithshëm dhe aksionerit, z. Andi Ballta, Drejtorja e Rrjetit të Degëve, Marinda Kalemi, shprehu kënaqësinë dhe krenarinë që banka ka për mbështetjen e kësaj nisme me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
“Dhurimi i karrocave të personalizuara për fëmijët në Qendrën Jonathan është një nismë që shkon përtej mbështetjes materiale. Ajo kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës së përditshme të këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre. Për këtë arsye, mbështetja e grupeve në nevojë, promovimi i barazisë së mundësive dhe qëndrimi pranë komuniteteve ku operojmë janë pjesë e pandashme e angazhimit tonë social.
Nisma të tilla kanë një rëndësi të veçantë sepse ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku çdo fëmijë ka mundësinë të zhvillohet dhe të ndihet i mbështetur. ABI Bank do të vazhdojë të jetë pranë komunitetit përmes projekteve dhe partneriteteve që sjellin vlerë,” u shpreh Kalemi.
Përfaqësuesit e Qendrës Jonathan falënderuan Abi Bank dhe partnerët e tjere për kontributin e dhënë, duke theksuar se pajisje të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e përditshmërisë së fëmijëve dhe në lehtësimin e sfidave me të cilat përballen familjet e tyre.
Kjo nismë është një shembull i bashkëpunimit mes institucioneve financiare dhe organizatave komunitare për të krijuar ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm në shoqëri.


