Publikime
Home > Publikime > Për publikun
ABI Bank: Më shumë fokus te individët dhe kreditimi hipotekor

Intervistë me Znj.Liljana Shkodra, Drejtore e Njësisë Retail, ABI Bank
A po shfaq ABI Bank një fokus në rritje ndaj kreditimit të individëve? Cilat janë ambiciet dhe planet konkrete të Bankës për zgjerimin e portofolit të kredive hipotekore gjatë viteve të ardhshme?
Synimi ynë është të zgjerojmë vazhdimisht gamën e produkteve dhe shërbimeve që u ofrojmë individëve, dhe kreditimi mbetet një nga shtyllat kryesore të kësaj strategjie. Kredia hipotekore zë vendin kryesor ndër produktet e kredisë, pasi përfaqëson një nga vendimet më të rëndësishme në jetën e një individi, si për nga qëllimi që përmbush, ashtu edhe për nga pesha që zë në raport me të ardhurat familjare. Nisur nga kjo, e kemi konceptuar produktin në mënyrë që t'i përgjigjet jo vetëm natyrës së ndryshme të të ardhurave të klientëve, por edhe ciklit të plotë të realizimit të një investimi në prone, duke marrë parasysh shpenzimet që një familje duhet të përballojë gjatë procesit të blerjes, si dhe qëndrueshmërinë e këstit të kredisë në një periudhë afatgjatë.
Plani ynë është që, në një periudhë afatmesme, ABI Bank të pozicionohet si një nga bankat lider në treg për kredinë hipotekore. Prandaj oferta jonë do të jetë e tillë që të justifikojë plotësisht këtë synim, duke përfshirë çmimin, afatin, shumën maksimale të financimit, kohën e procesimit të kërkesave, si dhe nivelin e shërbimit, si në degë ashtu edhe në qendrat tona të specializuara për kredinë hipotekore.
_______________________________________________________________________
Tregu i kredive hipotekore në Shqipëri konsiderohet tashmë relativisht konkurrues. A mendoni se ky treg ka arritur një nivel konsolidimi dhe ku e shihni potencialin më të madh për rritje: te shtëpia e parë, përmirësimi i kushteve të banimit, pronat për investim apo rifinancimi i kredive ekzistuese?
Është e vërtetë që sektori bankar ka përmirësuar ndjeshëm ofertën e tij vitet e fundit dhe bankat kanë konsoliduar shërbimin si dhe kanë ngritur kapacitetet e tyre në nivele shumë të mira. Megjithatë, besoj se ka gjithmonë hapësirë për të bërë më shumë apo më mirë.
Sipas mendimit tim, nuk duhet neglizhuar asnjë segment i potencialit të tregut, qoftë kërkesa e re për kredi hipotekore, qoftë rifinancimi i kredive ekzistuese, edhe pse kredia e re mbetet motori kryesor i rritjes së këtij portofoli. Njëkohësisht, vërejmë se ka segmente klientësh, kërkesat e të cilëve kanë evoluar krahasuar me ofertën aktuale të tregut, dhe kjo përfaqëson një mundësi të qartë rritjeje.
______________________________________________________________________
Rritja e kreditimit duhet të shoqërohet edhe me ruajtjen e cilësisë së portofolit. Si e balancon ABI Bank synimin për zgjerim me kreditimin e përgjegjshëm dhe çfarë tregojnë aktualisht treguesit për cilësinë e portofolit të individëve?
Kredia hipotekore ka treguar historikisht se karakterizohet nga një cilësi portofoli më e mirë krahasuar me portofolet e tjera të kreditimit. Sidoqoftë, në asnjë hap të procesit nuk duhet të neglizhohet asnjë element i menaxhimit të riskut.
Së pari, qendrat tona të specializuara për kredinë hipotekore janë krijuar jo vetëm për të ofruar një shërbim të dedikuar, ku një ekip i angazhuar 100% merret me këtë proces, por specializimi i tyre kontribuon drejtpërdrejt në cilësinë e analizës dhe në uljen e nivelit të riskut. Gjithashtu, stafi i degëve ka një profilizim të posaçëm për këtë lloj shërbimi. Njëkohësisht, praktikat tona të vlerësimit të riskut si për kredinë, ashtu edhe për kolateralin, janë mjaftueshëm të konsoliduara për të garantuar një vlerësim të drejtë dhe të qëndrueshëm të riskut të këtij portofoli.
_______________________________________________________________________
Çfarë e diferencon ofertën hipotekore të ABI Bank nga ajo e bankave të tjera? A keni ndërtuar produkte dhe kushte të përshtatura për kategori të ndryshme, si pagamarrësit, familjet e reja, profesionistët, emigrantët apo klientët që dëshirojnë të transferojnë kredinë nga një bankë tjetër?
Oferta jonë është, para së gjithash, gjithëpërfshirëse, por njëkohësisht mban veçoritë e saj specifike për segmentet që besojmë se mund t'i shërbejmë më mirë. Për të gjitha kategoritë që përmendët, oferta është konceptuar në përputhje me karakteristikat respektive si për klientët që aplikojnë për herë të parë, si për ata që duan të rikonsiderojnë koston e kredisë ekzistuese përmes rifinancimit.
Besojmë se ka ende hapësirë për të akomoduar kërkesa që përputhen me çmimet reale të apartamenteve apo vilave në treg, çmime këto që jo gjithmonë akomodohen nga oferta e disa bankave si dhe portofole që nuk reflektojnë çmimin e duhur për kredinë hipotekore.
_______________________________________________________________________
Cila është baza e synuar e klientelës për ofertën e re dhe, përtej mundësisë për të blerë një shtëpi, cilat janë avantazhet financiare dhe afatgjata të blerjes së një prone përmes kredisë hipotekore?
Baza kryesore e synuar përfshin pagamarrësit dhe të vetëpunësuarit, por siç e theksova, oferta jonë është e gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Cilido që planifikon të marrë një kredi hipotekore dhe ka mundësinë ta shlyejë atë, përfaqëson pjesë të bazës sonë të klientelës.
Ndryshe nga një pjesë e mirë e kombësive të tjera, ne shqiptarët kemi një dëshirë të madhe për të zotëruar shtëpinë tonë dhe kjo e ka mbajtur gjithmonë aktiv tregun në këtë aspekt. Nëse e shikojmë në afatgjatë, pavarësisht luhatjeve të përkohshme, vlera e një investimi në pasuri të paluajtshme është rritur historikisht krahasuar me koston e kredisë që financon këtë investim. Për këtë arsye, avantazhi kryesor, sipas mendimit tim, është fizibiliteti financiar i vetë investimit, përtej plotësimit të qëllimit personal për ta zotëruar atë.


