Verifikimi i identitetit

I nderuar/I dashur klient,

Ky dokument i drejtohet njëkohësisht si klientëve ekzistues/aktual të bankës ashtu edhe çdo individi i cili kryen vetëm një transaksion me një bankë.
Qëllimi ynë është t’iu informojmë se Ju jeni të detyruar ti komunikoni bankës informacione të mjaftueshme për identifikimin personal.

1. Përse duhet ti komunikoj bankës informacione identifikuese personale të detajuara?

Në Shqipëri, si në Evropë dhe në botë, Ligji Nr. 9917, datë 19.05.2008 “Mbi parandalimin e pastrimit të parave” i amenduar dhe propozimet e Bankës së Shqipërisë në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe gjithashtu për mbrojtjen e interesave ligjore dhe garantimin e transaksioneve financiare të çdo individi që bashkëpunon me bankën, i ndalon bankave të kryejnë çfarëdo lloj transaksioni para se të kenë verifikuar dhe konfirmuar identitetin e individit të përfshirë në një transaksion të tillë dhe gjithashtu i kërkon/urdhëron bankat tu kërkojne klientëve të tyre dokumenta të ligjshme, dokumenta identifikuese si klientë, dokumenta transaksionesh, etj. dhe ti ruajnë informacione të tilla nëpër dosje.
Për këtë arsye, kur një bankë iu kërkon informacion të detajuar për të kryer një transaksion, duhet të dini se ajo thjesht zbaton ligjin, ajo nuk ka mundësi zgjedhje dhe nuk mund të veproje ndryshe.

2. Si e përdorin bankat informacionin dhe të dhënat personale që unë jap?

Informacioni që ju u jepni bankave sipas ligjeve Nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe Nr. 9887 date 10.03.2008 “Mbi mbrojtjen e te dhenave personale” mbi mbrojtjen e individëve nga përpunimi i informacioneve personale, kërkon ruajtjen në siguri të plotë të këtyre informacioneve për aq kohë sa është përcaktuar në ligj dhe përdorimin e tyre ekskluzivisht për qëllimin për të cilin u mblodhën. Çdo shkelje ligjesh të tilla nga bankat dhe institucionet financiare është subjekt dënimesh shumë të ashpra dhe gjobash shumë të rënda.
Veç kësaj, duhet të dini se institucionet financiare gjithashtu pajtohen me dispozitat e Kodit të Etikave Bankare të Shoqatës Bankare Shqiptare për sa i përket grumbullimit dhe ruajtjes së informacioneve të klientëve, konfidencialitetit dhe të fshehtës bankare dhe personale.

3. Saktësisht çfarë të dhënash identifikuese duhet të jap dhe si do te verifikohen këto të dhëna?

Në rast se dëshironi të hapni një llogari kursimi, të merrni me qera një kasafortë, të merrni një kredi apo të kryeni çdo lloj tjetër transaksioni i cili ka të bëjë me dërgim/përfitim parash, informacioni që duhet të jepni si klient në përputhje me ligjin – nëse jeni përfituesi kryesor apo i përbashkët, debitori parësor apo garantuesi – dhe dokumentat respektive të cilat do të duhet të paraqisni në mënyrë që të verifikohet informacioni i dhënë, janë të listuara më poshtë:

INFORMACIONI I KËRKUAR
Dokumenta në bazë të të cilave mund të verifikohen të dhënat tuaja personale (sipas rastit):

TË DHËNA IDENTIFIKUESE
• Karte Identiteti elektronike
• Pasaportë biometrike

ADRESA AKTUALE E BANIMIT
• Fatura e nje prej utiliteteve (energjise elektrike, Ujesjellesit, Telefonit, etj) e tre muajve të fundit.
• Kontratë qeraje e noterizuar (nëse dispononi një të tillë)
• Vërtetim vendbanimi të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile

PROFESIONI AKTUAL DHE ADRESA AKTUALE E PUNËS
• Libreza e Sigurimeve Shoqërore
• Dëshmia e ushtrimit të profesionit (nëse dispononi një të tillë)
• Vërtetim nga punëdhënësi

Ju duhet të paraqisni kopje origjinale të dokumenteve të mësipërm, ndërsa bankat duhet të mbajnë fotokopje të tyre.
Informacioni që banka juaj ju kërkon mund të variojë në raport me tipin dhe shumën e transaksionit. Megjithatë, mund t’iu kërkohet dhe informacion shtesë, duke përfshirë të ardhurat, fatura, policngarkesa, tituj pronësie, kontrata qeraje apo shitjeje dhe/ose dokumenta të tjera që lidhen me këtë transaksion.
Kur kryeni veprime për llogari të dikujt tjetër, përveç paraqitjes së dokumentave tuaja personale identifikuese, do t’iu kërkohet të paraqisni dhe evidenca të personit fizik apo juridik në emër të të cilit po kryeni veprimin. Bankat janë të detyruara, sipas ligjit, të kërkojnë dhe të verifikojnë gjithashtu dhe këtë informacion.

Ju falenderojmë për bashkëpunimin dhe kohën që shpenzuat duke lexuar këtë dokument.